PERKUFIZIME DROGAT HALUÇINOGJENE, DROGAT E SINTEZËS DROGA DHE LUFTA KUNDER SAJ KLASIFIKIMI I DROGAVE DROGIMI RRUGËT E MARRJES SË DROGAVE PAK HISTORI CANNABIS SATIVA (KËRPI) OPIATET KOKAINA AMFETAMINAT DHE SUBSTANCAT E NGJASHME HALUÇIONOGJENËT BENZODIAZEPINAT – BZD LËNDËT E REJA PSIKOAKTIVE

PERKUFIZIME

ÇFARË ËSHTË DROGA?

Droga është një substancë që sjell ndryshime fizike dhe psikologjike. Droga mund të jetë e ngurtë (‘khat’), e lëngshme (alkooli) ose e gaztë (thithësit).

FJALËT MË TË ZAKONSHME PËR DROGËN

Droga depresante

Një lloj droge që ngadalëson funksionet e trupit, duke përfshirë edhe mesazhet për dhe nga truri. Drogat depresante përfshijnë alkoolin, kanabis dhe benzodiazepinat (qetësuesit e lehtë).

Varësia nga droga

Kur një person bëhet i varur nga droga pas përdorimit të rëndë dhe afatgjatë të drogës. Personi ka nevojë që të përdorë drogën që të ndihet normal ose që të mos ketë simptomat e pakëndshme të krizës së mungesës. Varësia mund të jetë fizike, psikologjike ose të dyja bashkë.

Parandalimi i drogës

Programe dhe projekte të krijuara për të parandaluar ose për të shtyrë marrjen dhe përdorimin e drogës, për të mbrojtur nga rreziqet e saj, si edhe për të parandaluar dëmet e shkaktuara prej përdorimit të drogës.

Pakësimi i dëmeve

Pakësimi i dëmeve ka të bëjë me rregullat dhe programet që kanë si qëllim që të pakësojnë dëmet e shkaktuara nga droga dhe që të përmirësojnë gjendjen shëndetësore, sociale dhe ekonomike për komunitetin dhe individin. Që në vitin 1983, rregullorja e pakësimit të dëmeve është fokusuar drejt pakësimit të furnizimit dhe kërkesave për drogë, si edhe drejt dëmeve që shkakton përdorimi i drogës.

Drogë haluçinogjene

Një lloj droge që shndërron perceptimet e personit. Personat që marrin haluçinogjenë mund të shohin apo të dëgjojnë gjëra që nuk ekzistojnë, ose mund të shohin gjëra të tjetërsuara. Ketamina, ‘LSD’, ‘kërpudhat magjike’ dhe kanabisi janë të gjitha droga haluçinogjene.

Narkotikë

Substanca që kanë fuqi që të sjellin gjumë tek një person ose ta bëjnë atë të turbullt, të lehtësojnë dhimbjet, të zbehin ndjesitë ose të shkaktojnë humbjen e vetëdijes.

Mbidoza

Ndodh kur merret një sasi e tepruar droge dhe trupi nuk është në gjendje që ta konsumojë.

Drogë psikoaktive

Drogë që ndikon në sistemin nervor qëndror (SNQ). Ka ndikim mbi trurin dhe si rrjedhim mbi mënyrën se si personi mendon, ndjehet dhe sillet.

Drogë stimulante

Lloj droge që përshpejton funksionet e trupit, duke përfshirë mesazhet për/nga truri. Stimulantët e bëjnë përdoruesin që të ndjehet zgjuar, i vëmendshëm, ose i sigurt tek vetja. Kafeina, nikotina, amfitaminat, kokaina dhe ekstazia janë shembuj të drogave stimulante.

Tolerancë

Aftësia e trupit për të konsumuar drogën.

Kriza e mungesës

Nëse një person që merr drogë e ndërpret atë ose e pakëson sasinë që merr, atëherë tek ai mund të shfaqen simptoma fizike, sepse trupi fillon që të mësohet që të funksionojë pa drogë. Simptomat e krizës së mungesës janë të ndryshme, sipas llojit të drogës dhe llojit të personit përdorues, por në përgjithësi ato përfshijnë depresion, irritime, ngërçe, të përziera, djersitje dhe pagjumësi.

DROGAT DHE EFEKTET E TYRE

Cilat droga janë shqetësuese?

Për komunitetin drogat më shqetësuese janë drogat psikoaktive, sepse ato veprojnë mbi trurin dhe ndryshojnë mënyrën se si mendon, sillet dhe ndjehet individi. Ka tre lloje kryesore droge: depresantët, stimuluesit dhe haluçinogjenët

Depresantët

Drogat depresuese nuk shkaktojnë gjithnjë depresion tek përdoruesi. Në të kundërt, ato ndikojnë tek përqëndrimi dhe koordinimi dhe ngadalësojnë aftësinë për t’iu përgjigjur situatave të papritura. Kur merren në sasi të vogla, depresantët mund të shkaktojnë çlodhje. Në sasi të mëdha mund të shkaktojnë humbjen e vetëdijes, të vjella dhe vdekje.

Stimulantët

Stimulantët e lehtë

Stimulantët e fortë

Drogat stimuluese shpejtojnë veprimtarinë e trurit. Si rrjedhim, personi që merr stimulantin ndjehet më i gjallë, i vëmendshëm dhe i sigurt tek vetja. Ato rrisin rrahjet e zemrës, temperaturën e trupit dhe tensionin e gjakut. Stimulantët pakësojnë oreksin, zmadhojnë pupilat e syrit, sjellin pagjumësi dhe e bëjnë përdoruesin që të flasë pa pushim apo të jetë pak nervoz.

Marrja e sasive të mëdha të stimulantëve shkakton ankth, panik, kriza, dhimbje koke, dhimbje në stomak, agresivitet dhe paranojë.

Stimulantët e fortë mund të maskojnë disa nga efektet e depresantëve si për shembull ato të alkoolit.

Haluçinogjenët

Drogat haluçinogjene shndërrojnë mënyrën se si personi sheh ose imagjinon që sheh rreth vetes. Personat që marrin haluçinogjenë mund të shohin apo të dëgjojnë gjëra që nuk ekzistojnë, ose mund të shohin gjëra të tjetërsuara.

Efekte të tjera të haluçinogjenëve janë zmadhimi i pupilave të syrit, ikja e oreksit, rritja e lëvizjeve, folje dhe të qeshura të tepruara, eufori emocionale dhe psikologjike, rritje të të ndjerit mirë, shtrëngim të nofullave, djersitje, panik, paranojë, humbje të kontaktit me realitetin, sjellje të çuditshme dhe të paarsyeshme, dhimbje në stomak dhe përzierje.

Meqënëse efektet e haluçinogjenëve janë të ndryshme është e pamundur që të parashikohet se si ato mund të ndikojnë tek një njeri apo tek një tjetër, në një kohë të caktuar.

Pa asnjë arsye të caktuar, shumica e njerëzve i përdorin drogat për të ndryshuar mënyrën se si ndjehen, sepse duan që të ndjehen më mirë ose thjesht ndryshe.

Ata i përdorin drogat, sepse besojnë në dobishmërinë e tyre. Njerëzit i përdorin drogat për tu çlodhur, për tu argëtuar, për tu bërë pjesë e shoqërisë, për shkak të kureshtjes, ose për t’i shpëtuar dhimbjes fizike dhe psikologjike. Të rinjtë i përdorin drogat për të njëjtat arsye që i përdorin edhe të rriturit.

SI NDIKON DROGA TEK NJË PERSON?

Efektet e një droge të caktuar varen nga një numër faktorësh.

Lloji i drogës që merret

Të gjitha drogat ndikojnë në mënyrë të ndryshme tek persona të ndryshëm.

Sasia e drogës që merret dhe shpeshtësia e merrjes

Në përgjithësi, sa më e madhe të jetë sasia e drogës që merret aq më i madh është edhe efekti i saj. Personi mund të vuajë nga mbidoza, nëse sasia e marrë është më e madhe se sasia që është në gjendje të konsumojë trupi.

Mënyra e marrjes së drogës

Drogat që merren me anë të injeksionit ose thithjes janë më të shpejta dhe efekti i tyre është më intensiv. Thithja me hundë vjen e dyta nga shpejtësia e veprimit dhe pas saj vijnë drogat që merren me gojë ose përtypje dhe këto veprojnë pak më ngadalë.

Karakteristikat fizike të përdoruesit

Efekti i drogës ndikohet edhe nga gjatësia, pesha dhe gjinia e përdoruesit. Intensiteti dhe jetëveprimi i drogës varen edhe nga sasia e dhjamit në trup, niveli metabolik dhe faza e ciklit menstrual të femrës.

Humori dhe mjedisi i përdoruesit

Në efektin e drogës një rëndësi të veçantë ka edhe mënyra se si ndjehet përdoruesi dhe se në cilin mjedis merret droga. Personi ka më shumë mundësi që ta shijojë drogën në një ambient social të qetë, sesa një atmosferë të keqe.

Llojet e drogave të tjera që përdoren njëkohësisht

Kur drogat përzien edhe efektet e tyre mund të ndryshojnë dhe këto efekte nuk mund të parashikohen.

loading...