Dërguar nga:

Kur fekondimi in vitro përfundon pa sukses … Cilat janë shkaqet? (Pjesa e parë)

Pyetja e parë që një paciente do të shtrojë në rast se merr një test negative pas një procedure Fekondimi In Vitro (IVF / Fertilizim In Vitro / FIVET) është "Pse dështoi cikli im IVF?" Një cikël i dështuar IVF është një moment shumë delikat dhe shumë i vështirë për pacienten … Është i dhimbshëm pasi gjithë shpresat që pacientja ndërton dhe ushqen gjatë këtij cikli fekondim in vitro vaniten menjëherë … Stresit emocional i shtohet edhe fatura jo e vogël financiare që për pacienten ikën brenda 2-3 javëve

Vetë natyra njerëzore synon që të gjejë përgjigjen e duhur pas cdo dështimi në mënyrë që ta shmangë atë në përpjekjen tjetër. Megjithatë kjo nuk ndodh në Fekondim In Vitro … Për fat të keq mjekët nuk janë në gjendje (dhe kjo për shkak se të tilla janë nivelet e njohurive kudo nëpër botë) të japin një arsye për dështimin e fekondimit in vitro në disa raste.

  • Ju si paciente mund të keni një cikël perfekt fekondimi in vitro – shumë vezë, fertilizim shumë të mirë, embrione shumë të mira në cilësi, një endometër shumë të mirë, një transfertë shumë të lehtë të embrioneve në mitër – dhe për fat të keq një rezultat negativ pas dy javëve …
  • Nga ana tjetër, mikesha juaj mund të ketë një cikël fekondimi in vitro jo aq të mirë sa i juaji (me më pak vezë dhe me embrione me cilësi më të reduktuar) dhe të përfundojë me një rezultat pozitiv të testit të shtatzanisë pas 2 javëve.

IVF është në një këndvështrim edhe një "lojë shansi" e cila përfshin jo vetëm burimet tuaja financiare por edhe ëndrrat tuaja për tu bërë nënë. Është shumë i trishtueshem fakti që ende nuk ka një shpjegim për cdo rast IVF, qoftë ky i përfunduar me sukses apo me rezultat negativ.

Kjo shpjegohet me faktin se niveli i njohurive tona nuk mjafton për të shpjeguar procesin biologjik që kontrollon zhvillimin e embrionit dhe implantimin. Me transferimin e embrionit në mitër, asnjë nuk është në gjendje të dijë dhe parashikojë se cdo të ndoshë me të më pas. Afërmendsh, si mund të "gjurmojmë" ne rrugën/fatin e një grumbulli qelizash (embrioni) kur ata janë në kavitetin uterin (të mitrës)? Ne nuk jemi në gjendje të parashikojmë se cili embrion do të implantohet dhe pse, dhe për rjedhojë ne nuk mund të dimë përse një cikël fekondimi in vitro rezulton me sukses apo dështon!

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, askush nuk shtron pyetjen tjetër po aq llogjike – "Përse cikli IVF im rezultoi me sukses?" – Edhe kjo pyetje nuk ka përgjigje ende!

Personi i parë të cilit pacientja i drejtohet në këto raste janë mjekët që realizuan procesin e fekondimit in vitro (gjinekologë dhe embriologë). Ata kanë përcaktuar indikacionin për Fekondim In Vitro dhe ata u kanë thënë se kanë shanse të mura suksesi. Pritshmëritë e pacientes janë që mjeku të ketë përgjigje për pyetjen – "Përse cikli im IVF dështoi kur ecuria ka qenë e mirë?".

Disa paciente shkojnë deri aty sa të kenë dyshime mbi kompetencën e klinikës, laboratorit apo edhe të mjekut që kreu procedurën. Disa paciente, nga ana tjetër, fajin e hedhin tek vetja e tyre duke menduar se trupi i tyre nuk funksionon si duhet dhe nuk është i aftë të mbajë (por i flak) embrionet e krijuara me mund të laborator. Disa fajësojnë veten për shkak të dietës jo të mirë që kanë mbajtur apo të lodhjes apo moskujdesit gjatë dy javëve që pasojnë transfertën e embrioneve.

Megjithatë një paciente e cila ka dëgjuar me vëmendje cfarë mjeku ka shpjeguar përpara procedurës (dhe jo cfarë kërkon ajo në të besojë apo cfarë ka dëgjuar nga shoqet e saj) apo ka lexuar sado pak për fekondimin in vitro e kupton shumë mirë se një dështim në fekondim in vitro nuk është "faji" as i mjekëve dhe as i pacientes. Të tilla paciente e kalojnë më mirë një rezultat negativ dhe e kanë më të lehtë të kalojnë në tutje drejt një rivlerësimi të rastit dhe një tentative tjetër IVF.

Detyra më e rëndësishme e një mjeku është që ti përgatisë pacientët edhe për një rezultat negativ në fund të fekondimit in vitro. Një specialist i mirë në IVF do të shpenzojë kohë dhe energji që ti shpjegojë pacientes pikat e pasigurta të IVF dhe shanset e ndryshme që cifte të ndryshme mund të kenë. Kjo pasi një pjesë e pacienteve besojnë në mënyrë të gabuar se "tani që filluan fekondimin in vitro pas 9 muajve do të bëhen me bebe". Këtë nuk e premton asnjë mjek dhe asnjë klinikë.

Një mjek që në momentet e para harxhon kohë që t’ju shpjegojë shanset (të cilat juve mund tju duken më të pak se pritshmëritë tuaja) më besoni është më i përgatitur se ata mjekë të cilët harxhojnë vetëm 30 sekonda me ju duke ju premtuar sukses të sigurtë.

Përse dështon një fekondim in vitro?

Arsyet sic e përmendëm edhe më lartë nuk dihen me siguri. Mund të përmbledhim mundësitë e mëposhtme:

  • Cilësia jo e mirë e embrioneve
  • Uterusi (mitra) jo receptive

Le të marrim një rast hipotetik: një cift fertil që është duke u përpjekur për të nisur një shtatezani në dhomën e tyre të gjumit. A rezulton në një shtatzani cdo kontakt seksual i këtij cifti gjatë ditëve fertile të femrës (mesi i cliklit)? Sigurisht që jo! Një cifti fertil mund ti duhet plot një vit për të arritur shtatzaninë. Shanset e këtij cifti fertile për të arritur shtatzaninë gjatë një cikli menstrual janë 15 – 25%. Këto shifra tregojnë në mënyrë të qartë se riprodhimi njerëzor nuk është një proçes perfekt! Që do të thotë se jo cdo cikël menstrual është perfekt dhe që jo cdo cikël menstrual rezulton me prodhimin e një veze "normale".

Në momentin që ne pranojmë se rendimenti i riprodhimit natyror tek njerëzit është 15 – 25% atëherë kurrsesi nuk mund të pretendojmë përqindje 100% suksesi tek fekopndimi in vitro. Në një cikël IVF, shanset për të patur një shtatzani variojnë nga 40-50%. Megjithatë ne e kemi të pamundur të përcaktojmë me siguri në se është cilësia e embrioneve apo receptiviteti i ulur i mitrës arsyeja që qëndron pas një IVF me rezultat negativ.

Çfarë nuk shkakton "dështim" të ciklit të fertilizimit in vitro:

  • Mungesa e qëndrimit shtrirë.
  • Kolla
  • Stresi
  • Dieta
  • Arsye pseudoshkencore si qelizat NK apo mospërputhja HLA.
faqe    1 2
Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 6491 herë.
Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
Sondazh

A do te kryenit një konsultë online me pagesë me një mjek?

Dergo voten