Steriliteti mashkullor nga varikocela

HYRJE

Më parë se të flasim për sterilitetin, mendoj të sqaroj se çfarë kuptohet me termin sterilitet.Steriliteti mund t!i përkasë seksit mashkull, sikurse edhe seksit femër. Shpesh herë përdoren termat sterilitet dhe infetilitet si sinonime, që në fakt nuk janë të tilla. Autorët anglosaksonë nuk bëjnë diferencime ndërmjet tyre. Steriliteti është paaftësia biologjike e një burri apo e një gruaje, për të realizuar arritjen e një shtatzanije.

Infertiliteti, në fakt është paaftësia e një gruaje për të finalizuar lindjen e një fëmije, pra për të çuar deri në fund një shtatzani. Një çift konsideerohet steril (infertil për autorët anglosaksonë), kur nuk ka arritur të realizojë një shtatzani edhe pas një viti raportesh seksuale të pa mbrojtura, apo për gratë pas moshës 34 vjeçare. Një çift normal, rreth 25 vjeç, me raporte seksuale të rregullta, ka një mundësi të madhe për të ngjizur një shtatzani, në cilindo muaj të vitit.

Shumë burra, mund të jenë prej kohësh sterilë, pa qenë koshientë për këte fakt, gjë që e kuptojnë vetëm pas jetës bashkëshortore. Steriliteti mund të jetë primar dhe sekondar. Konsiderohet sterilitet primar tek ata persona, që nuk kanë arritur asnjëherë për të realizuar një shtatzani. Steriliteti konsiderohet sekondar, kur bëhet e pamundur të relizohet një shtatzani e dytë, megjithëse eshtë realizuar me sukses një shtatzani e parë. Steriliteti mashkullor apo edhe femëror, ka shkaqe të shumta. Përqindjet e përafërta të shkaqeve tregohen në tabelën e mëposhtëme.


SHKAQET E STERILITETIT NË %.

Shkaqet e sterilitetit mashkullor janë të shumta, si përshembull inflamacionet e vijave genito - urinare të trajtuara keq, patologjitë e prostatës, traumat e kaluara, patologjitë genetike të kromozomeve,trajtimet me kimioterapi, radioterapi, abuzimet me pijet alkoolike, me duhan dhe me droga, etj. Pacienti me një çrregullim të tillë, duhet të drejtohet sa më shpejt për një vizitë uro - andrologjike. Anamneza e pacientit ndihmon shumë për të përcaktuar shkaqet e mundëshme të sterilitetit. Edhe pse më pak se tek seksi femër,tek meshkujt pas moshës 30 - 35 vjeçare, ulet niveli i testosteronit dhe krijohet një gjendje oligospermie.

Qëllimi i këtij publikimi nuk është analiza e të gjitha shkaqeve, që mund të çojnë në sterilitet, por të vemë në dukje një nga shkaqet, fatkeqësisht jo të rralla, i cili mund të parandalohet që në moshë të herëshme, apo edhe të kurohet me sukses, kur nuk ka dhënë akoma ndryshime ireversibile (të pa rikthyeshme).

Pra sot do të flasim për VARIKOCELËN.

Varikocela prek rreth 15% te djemve nga mosha 15 deri 25 vjeç. Varikocela, në rreth 90% të rasteve, lokalizohet në anën e majtë, 8% në të dy anët dhe 2% vetëm nga e djathta. Shumë rrallë çfaqet varikocela në moshë të rritur (forma sekondare). Etiologjia e varikocelës është akoma e pa përcaktuar me saktësi. Duke u bazuar në teoritë e pranuara deri tani, mund të themi se mekanizmi është shumëfaktorial. Mbetet të pranojmë, se ekziston një korelacion statistikisht i pranueshëm ndërmjet varikocelës dhe uljes së aftësisë riprodhuese. Kjo na bën të insistojmë për një diagnozë sa më të herëshme, që të merren masat e një terapie sa më të shpejtë, për të parandaluar apo për të kufizuar dëmet e mëvonëshme.

Në shkencën mjekësore, flitet shumë për parandalimin, apo më mirë, për diagnozën e herëshme dhe, që në fakt, për fëmijët e lindur të seksit mashkull bëhet shumë pak, për të diagnostikuar në kohë një patologji të thjeshtë, që mund t!i bëjë ata sterilë në moshën e rritur, ndoshta sepse bëhet fjalë për organe intime, apo sepse nuk kanë raport konfidencial me babanë. Gjithashtu fëmijët meshkuj, nuk dërgohen të konsultohen tek asnjë specialist urolog, ndoshta sepse është krijuar ideja që specialisti urolog konsiderohet " si mjek i burrave të moshuar" !

Ndërkohë , fëmijët e lindura femra, vajzat e mëvonëshme, ndiqen në mënyrë të kujdesëshme nga nënat si edhe nga institucionet (vaksinimi për HPV, ndjekja e ciklit menstrual, etj).


Forma anatomike e spermatozoidëve normalë.

Sigurisht që keni parë dhe dëgjuar për zgjerimet e venave të këmbëve në persona të të dy sekseve. Varikocela skrotale është një sëmundje vetëm e meshkujve, ku zgjerimi i venave nuk ndodh në zonën e këmbëve, por në skrotum. Mekanizmi është i njejtë, vend ndodhja është e ndryshme.


VENA VARIKOZE E GJYMTYRËVE TË POSHTËME.

Duhet të bëjmë me dije se, ekziston edhe varikocela pelvike e femrave. Shumë gra, ankojnë për dhimbje në fund të barkut, gjatë ciklit menstrual apo nga raportet seksuale. Këto çrregullime, shpesh herë neglizhohen, por që shkaktohen nga një patologji e përcaktuar si varikocela pelvike e femrave. Bëhet fjalë për zgjerimin varikoz të venave të ovareve, duke formuar tamam një vena varikoze për rreth ovareve. Kjo lloj patologjie,nuk pasohet me sterilitet femëror.

Varikocela e meshkujve është një zgjerim i venave për rreth testikujve, që ka si shkak prishjen e valvulave të venës spermatike të brendëshme. Në rastin e varikocelës, valvulat e vogla në brendi të venës spermatike janë të prishura (nuk kryejnë funksionin e tyre) dhe gjaku venoz, në vend që të shkojë lart, në drejtim të zemrës si zakonisht, ai kthehet mbrapsht, në drejtim të testikulit, duke realizuar zgjerimin e venave të skrotumit (pleksit pampiniform spermatik).

Zgjerimi i venave rreth testikujve, ka si pasojë ngritjen e temperaturës lokale mbi 32 gradë celcius, që duhet të jetë temperatura normale për këte zonë dhe, si pasojë, kjo influencon në mundësinë e testikujve që të prodhojnë një numur më të vogël spermatozoidesh si edhe me lëvizëshmëri më të dobët, me pasojë sterilitetin mashkullor. Nëse diagnoza e varikocelës do të bëhet kur dëmet janë më të vogla, në pjesën më të madhe të rasteve, bëhet i mundur që shërimi të jetë pa pasoja. Nëse njohja e kësaj patologjie bëhet me vonesë dhe nuk kurohet në kohën e duhur, mundësitë e shërimit kufizohen në mënyrë të ndjeshme.


VARIKOCELE E ANËS SË MAJTË, E DUKËSHME NGA INSPEKSIONI I THJESHTË. (Grada e tretë).

Në moshën e pubertetit, testikujt pësojnë një rritje të shpejtë dhe gjaku, që shkon drejt tyre është ne sasi më të madhe, por nëse valvulat e venave nuk arrijnë ta rikthejnë të gjithë gjakun e ardhur në testikuj, krijohen kushte, që një pjesë e gjakut të mbetet në zonën skrotale, duke krijuar zgjerime varikoze në zonën skrotale, pra krijohet varikocela. Mund te çfaqet në të dy testikujt, por vlen të theksohet se në përqindjen më të madhe prek pjesën e majtë të skrotumit, sepse në këte pjesë ka një fluks gjaku më të madh.

DIAGNOZA

Nga anamneza janë të pakta informacionet, që mund të merren, për shkak të shqetësimeve klinike të pakta dhe, që mund të neglizhohen nga pacientët. Shpesh, pacientët drejtohen tek mjeku për paaftësinë riprodhuese të çiftit. Kështu që, ata do t!i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme.

EKZAMINIMI OBJEKTIV: në shumicën e rasteve, vizita e specialistit e konstaton diagnozën. Në pozicionin shtrirë apo në këmbë të pacientit, me apo pa manovrën e Valsalvës, nëse konstatohet me sy të lirë apo me prekje, në pjesën e sipërme të testikulit, pleksusi venoz i zgjeruar, atëhere mund të themi se pacienti paraqet një varikocele.

KLASIFIKIMI KLINIK I VARIKOCELËS SIPAS DUBIN:

Grada e parë: Varikocele e prekëshme vetëm me manovrën e Valsalves.

Grada e dytë: Varikocele e prekëshme edhe pa provën e Valsalves.

Grada e tretë: Varikocele e dukëshme edhe nga inspeksioni i thjeshtë.

Shpesh herë mund të konstatohet një zvoglim i testikulit të interesuar, në krahasim me testikulin e anës tjetër. Volumi i testikujve më mirë matet me anë të ekografisë. Nëse në ekodopler, konstatohen çrregullime të testikujve apo të epididimisit dhe prezenca e varikocelës, ky është shkaku i 30% të sterilitetit mashkullor.

Ose varikocela mund të manifestohet vetëm me çrregullime të prodhimit të spermatozoideve. Në këto raste duhen bërë ekzaminime laboratorike, për të përcaktuar gjendjen. Ekodopleri është ekzaminimi instrumental kryesor për vlerësimin e varikocelës, për të matur volumin e testikujve, për të vënë në dukje zgjerimet e pleksit venoz patologjik, për të vlerësuar fluksin e gjakut në brendi të venave të zgjeruara në pozicione të ndryshme, etj.

Gjithashtu, pacienti duhet ti nënështrohet vlerësimit laboratotik të spermës, me anë të së cilës, përcaktohet numuri i spermatozoideve, lëvizëshmëria, si edhe gjendja e tyre. Ekzaminimi mikrobiologjik apo spermokultura, shërben për të përjashtuar një infeksion bakterial, që mund të prishë cilësinë e spermës. Nga ekzaminimi i spermogramës, mund të marrim të dhëna për gjendjen e spermatozoideve si edhe për shkaqet më të shpeshta të sterilitetit mashkullor, të cilat mund të jenë :

Për një spermatogenezë korrekte, temperatura skrotale duhet të jetë e ulët. Për ngritjen e temperaturës influencojnë veshjet intime shumë të ngushta dhe pa ajrosje, ekspozimi në burime nxehtësije, qëndrimi ulur në të njejtin pozicion gjatë shumë orëve të ditës. Eliminimi i këtyre faktorëve mund të favorizojë prodhimin më të mirë të spermatozoideve.

Bëhet edhe ekzaminimi hormonal.

TRAJTIMI

Trajtimi i sterilitetit mashkullor mund të jetë kirurgjikal, ose konservativ. Trajtimi konservativ, bazohet në përdorimin e antibiotikëve, antinflamatorëve, hormoneve, apo të përdorimit edhe të antioksidantëve, të cilët shtojnë sasinë e spermës në subjekte që kanë një ejakulacion të dobët. Nuk duhet të harrojmë që, shpesh herë, ankthi, stresi psikologjik, influencon në efektet e terapisë.

Kurimi i sterilitetit mashkullor ka si qëllim, që të përmirësojë spermatogenezën dhe cilësinë e spermës. Për personat, që vuajnë nga varikocela, aktualisht ka dy taktika të trajtimit: trajtim kirurgjikal, i cili konsiston në eliminimin e varikocelës me një prerje të vogël mbi zonën inguinale, të lokalizojë venën testikulare të zgjeruar dhe të realizojë lidhjen e saj, duke ruajtur elementet anatomikë, që janë në afërsi të saj.

Si mund të parashikohen rezultatet?

Interventi rezulton me rezultate të kënaqëshme në 60 - 70 % të pacientëve. Nga ana tjetër, ky intervent është me shumë rëndësi, sepse bën që të ndalojë dëmtimi i funksionit testikular, për të mos çuar më tej prishjen e funksionit hormonal të testikujve.

Komplikacionet e këtij interventi janë minimale. Në një përqindje të vogël rastesh, arteria spermatike qëndron e lidhur ngushtësisht me venën spermatike dhe bëhet i vështirë veçimi i venës me sy të lirë. Lidhja apo dëmtimi i venës së bashku me arterien, mund të çojë në atrofinë testikulare. Në raste të rralla mund të formohet hidrocela, si pasojë e grumbullimit të lëngut në funikulin spermatik, që mund të pasohet edhe me hernie.

Metodë tjetër e trajtimit është skleroembolizimi perkutan i venës spermatike. Kjo është metodë mini invazive, që trajtohet në kirurgjinë ditore. Kontrolli i rezultateve të ndërhyrjes bëhet 3 - 4 muaj pas manipulimit.