Leukemia (Pjesa e tretë)
Diagnoza
Vendoset duke u mbështetur tek: anamneza, klinika, citologjia në Mikroskop Optik e gjakut periferik dhe central (mielograma), citokimia, imunofenotipi, citogjenetika dhe analiza molekulare.
Klasifikimet më të përdorshme: FAB (French-Amerikan- British scheme) që mbështetet tek klinika, citologjia dhe citokimia dhe që për kushtet tona është ai që përdoret më shpesh dhe WHO 2008 që mbështetet tek tek kriteret e FAB + të dhënat më të fundit të imunofenotipit, citogjenetikës, analizave molekulare. Dallimi më i rëndësishëm midis dy klasifikimeve është:
Klasifikimi FAB > 30 % qeliza tumorale në BMA (AREB-t 20-30 %) dhe klasifikimi WHO > 20 % blaste.
Trajtimi i LA
Terapia e suportiti për insuficiencën e PKK.
- Vendosja e nje kateteri venoz central për administrimin e kimioterapisë, antibiotikëve, të gjakut, të produkteve të gjakut, për ushqyerjen intravenoze, për marrjen e analizave etj.
- Parandalimi i të vjellave. Përdoren primperani, klorpromazina, prometazina, dexametazoni, lorazepam dhe më të fuqishmit anti-5-HT3 (Kytrili, Zofrani).
- Për aneminë jepen masa eritrocitare.
- Trajtimi dhe parandalimi i hemoragjisë. Jepen Masa Trombocitare (sidomos kur numri i trombociteve është më pak se 20.000 mm3). Jepen gjithashtu në rastin e KID faktorë të koagulimit, Plazëm e Freskët e Ngrirë dhe në raste të mikrotrombozave nga KID jepet heparinë. Në raste hemoragjie nga fibrinoliza jepet EACA, Acidi Traneksamik.
- Allopurinoli për hiperuricemia.
- Profilaksia dhe trajtimi i infeksioneve.
- Neutropenia që vjen nga insufiçienca e PKK, prej zëvëndësimit të leukociteve nga qelizat leuçemike dhe nga terapia citotoksike intensive e bëjnë pacientin shumë të prekshëm nga infeksionet, sidomos kur numri i neutrofileve është më pak se 1.000 mm3 dhe akoma më shumë kur ky numër është më pak se 500 mm3. Neutrofilet qëndrojnë në këto vlera për një periudhë dy javore ose më shumë. Infeksionet më të shpeshta janë bakteriale, virale, fungale, protozoare. Shpesh herë shfaqet gjëndje septike.
Profilaksia e infeksioneve
Pacienti duhet të izolohet në dhoma sterile, me filtra ajri për të parandaluar infeksionet që vijnë nga sporet e ajrit. Të bëhet sterilizimi i Aparatit Gastro-Intenstinal duke dhënë antibiotikë dhe antifungal nga goja. Të pastrohen me antiseptikë goja dhe lëkura. Të merren kultura të rregullta nga fyti, goja, hunda, urina, feçet, sputumi, vendet e kateterëve, nga regjioni aksilar, perianal etj.
Trajtimi i infeksioneve
Temperatura është shënja kryesore që një infeksion është i pranishëm. Menjëherë të merret antibiograma nga vëndet që thamë më sipër. Të bëhet hemokultura. Të bëhet ekzaminimi i pulmoneve. Meqenëse neutrofilet mungojnë nuk formohet pus (qelbi) dhe infeksioni është i vështirë për tu lokalizuar. Menjëherë fillohen antibiotikë me spektër të gjërë dhe kur të merret përgjigja e antibiogramës të bëhen ndryshimi i tyre. Antibiotikët do të vazhdojnë dhe tre ditë pas rënies së temperaturës, nëse nuk ka përgjigje të bëhet trajtimi me antifungalë dhe/ose antiviralë.
Trajtimi i Hematologjive Malinje. Faktorë për tu marrë në konsideratë:
Aktiviteti
- Afat shkurtër (përgjigje ndaj mjekimit, cilësia e përgjigjes).
- Afat gjatë (PFS, OS).
Toksiciteti (i gradave të ndryshme me ndikim në dozën dhe vazhdimin e mjekimit)
- Hematologjik (mielosupresion).
- Jo‐hematologjik (neurotoksiciteti, imunosupresioni, hepatotoksiciteti etj).
Komplikacionet e vonshme
- Mielodisplazi.
- Sindrome Mieloproliferative.
- Tumore Sekondare jo-hematologjike.