Një numër agjentësh kimikë, fizikë dhe biologjik mund të shkaktojnë ndryshime tek molekula e ADN. Këta faktorë quhen mutagjenë. Mutagjenët të cilët rritin propabilitetin e transformimit malinj të një qelize normale njihen si kancerogjenë. Për zhvillimin e një tumori duhet jo vetëm predispozicioni gjenetik, por veprimi i këtyre kancerogjeneve (ndikimi i mjedisit). Prishja e raportit midis onkogjenëve dhe antionkogjenëve që bazohet në ndryshimet e ADN mund të shkaktohet nga disa shkaqe por që asnjeri prej tyre nuk është i provuar plotësisht. Faktorët e rrezikut (riskut) për zhvillimin e sëmundjeve tumorale hematologjike janë:
a) Viruset: është parë se viruset sidomos retroviruset bëhen shkak për zhvillimine tumoreve, por më tepër tek kafshët dhe tek zogjtë se sa tek njerëzit.p,sh është virusi HTLV-1 që mund të shkaktojë leukozë, por jo të gjithë njerëzit që janë me këtë virus mund të zhvillojë sëmundje malinje.Virusi Epstein Barr është parë tek M.Hdg, Limfoma Burkit, por jo në tipet e tjera të limfomave. Po kështu ky virus shkakton limfoma tek të sëmurët që marrin imunosupresorë për transplante të organeve të ndryshme. Të sëmurët me imunodefiçiencë të lindur ose të fituar (AIDS) zhvillojnë limfoma ose tumore të tjera. Shkaku ështe çrregullimi i imuniteti qelizor (LT).
b) Bakteriet: si Helicobacter pylori mund të jetë shkak për zhvillimin e LMNH së stomakut.
Leukemia Akute është sëmundja tumorale më malinje (më agresive), sistemike (metastazike) që në fillim, e karakterizuar nga proliferimi dhe grumbullimi i qelizave tumorale (blaste), qeliza anormale nga ana strukturore dhe funksionale në PKK (intramedulare), gjakun periferik dhe metastazim në organet ekstramedulare (lien, hepar, limfonodul, folikuj limfatike solitare, lëkurë, gingiva, meningje). Në këtë mënyre kjo çon në dëmtimin e strukturave dhe funksionit normal të këtyre organeve, zëvëndësimin e parenkimes së tyre me ind tumoral jo normal, e shoqëruar me zmadhimin e këtyre organeve (sindromi tumoral), në PKK e karakterizuar me dhimbje kockash, me insufiçiencë të saj (pakësim të eritrociteve, të leukociteve dhe trombociteve normale, me pasojat përkatëse – Sindromet -Anemik, -Infeksioz, -Hemoragjik) dhe çrregullime imunologjike progresive humorale dhe qelizore me tendencë për infeksione dhe tumore sekondare {tek të mbijetuarit dhe si rrjedhojë e përdorimit të mjekimeve më kimioterapi/radioterapi (profilaksi e meningjeve)}.
LAL (Leukoza Akute Limfoide) është më e shpeshtë tek fëmijët, me një rënie pas moshës 10 vjeç dhe për të rritur shpeshtësine pas moshës 40 vjeç. LAM (Leukoza Akute Mieloide) mund të ndodhë në të gjitha grup moshat, por më e shpeshtë tek adultët.
Rallë Leukemia Bifenotipike (e Padiferencuar) – dy linja të ndryshme qelizore në të njëjtën kohë ose qeliza tumorale paraqet markuesit qelizor të dy linjave të ndryshme dhe nuk mund të klasifikohet (diagnoza citokimia dhe imunofenotipi).
Histori relativisht e shpejtë (shkallë e lartë e proliferimit qelizor me rritje të shpejtë të masës tumorale). Shënjat klinike të leukozës përcaktohen nga numëri total i qelizave leuçemike (tumorale) në PKK. Kur numëri arrin 109 sëmundja bëhet e dukshme në mikroskop (ekzaminim citologjik i gjakut periferik dhe atij central). Kur numëri arrin 1012 sëmundja shfaqet plotësisht, me insufiçiencë të theksuar të PKK. Kur numëri i qelizave leuçemike zë mbi 60% ose më shumë të qelizave totale të PKK këto qeliza dalin në gjakun periferik dhe infiltrojnë organe të tjera si lienin, heparin, limfonodulat, meningjet, testet. Shfaqja klinike dhe vdekshmëria në rastin e LA janë të lidhura me insufiçiencën e PKK (neutropeninë, trombocitopeninë dhe aneminë) dhe më pak nga infiltrimi i organeve të tjera. Klinika e LA:
Të lidhura me Insufiçiencën e PKK (prej infiltrimit të PKK prej qelizve leuçemike dhe zëvëndësimin e popullatës normale).
Sindromi Anemik - Simptomat. Dobësi, lodhje, këputje, më të theksuar në sforcimet fizike, palpitacione, vështirësi në frymëmarje, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), miza para syve, zhurmë në vesh. Tek moshat e vjetra dhe kur instalohet shpejt mund të shfaqen dhe simptomat e angina pektoris etj. Shënjat, përfshijnë zbehjen e lekurës dhe të mukozave (të cilat shfaqen kur Hb është më pak se 9-10 gr/dl). Anemia duket më mirë në membranat mukoze (buzët, goja, faringu, konjuktivat), llapa e veshit, shuplakat e duarve dhe në shputat e këmbëve (kur Hb < 7 gr/dl). Në rastet kur anemia instalohet shpejt dhe është e thellë mund të kemi takikardi, puls të shpejtë dhe goditës, tone të forta në zemër, zhurmë sistolike, kardiomegali, insufiçiencë kardiake, edema pulmonare akute.
Sindromi Infeksioz - Temperaturë, infeksione të lëkurës fytit, gojës, aparatit respirator, të regjionit perianal etj nga neutropenia dhe dëmtimi i proçeseve imune.
Sindromi Hemoragjik - Fenomene hemorragjike spontane nga hunda, goja, menoragjia, nga vëndet e shpimeve, hemorragji cerebrale etj nga trombocitopenia. LAM3 shoqërohe shpesh me KID.
Nga infiltrimi i organeve të tjera (organomegali, dëmtim i strukturës dhe i funksionit të tyre)
Dhimbje kockash nga hiperplazia e PKK.
Limfoadenopati më tepër tek LAL.
Splenomegali, hepatomegali më tepër tek LAL.
Hipertrofi e gingivave, prekje të lëkurës më tepër tek LAM4 dhe LAM5.
Sindrom meningeal më tepër tek LAL dhe tek LAM4, LAM5.
Infiltrim testikular tek LAL ose kompresion mediastinal tek LAL-T.
Sindromi i Hiperviskozitetit (hiperleukocitozë/leukostaza kur leukocite qarkulluese janë > 100.000 mm3), Koagulimi Intrvaskular i Diseminuar, Sindromi i Lizës Tumorale, Hiperkalçemia.