IVF apo ICSI? (Pjesa e parë)

Cila teknikë duhet përdorur gjatë Fekondimit In-Vitro : Fertilizim "Klasik" apo Mikroinjeksion (ICSI)?!

Me shume gjasa shumë po vrasin mendjen që nuk jemi duke folur për të njëjtën gjë? Fertilizimi In-Vitro është një dhe cfarë është diferenca midis këtyre dy togfjalëve. Ka ardhur momenti që kur flasim për Fekondimin In-Vitro (IVF) të futemi pak më thellë duke rritur edhe edukimin e pacientëve që jeta i ka sjellë të përballen me këtë proçedure.

Për më tepër u nisa në kryerjen e këtij shkrimi pasi disa kohë me parë nga organizata europiane e riprodhimit human dhe embriologjisë (ESHRE) u raportua se në Shqipëri kryhet 100% teknika e ICSI-t. Duke qënë se në Shqipëri NUK ka një regjistër kombëtar për raportimin e proçedurave të IVF që kryhen, kushdo që ka raportuar këtë të dhënë e ka bërë me hamendje.

E para duhet shpjeguar se ka dy mënyra në IVF për të bashkuar dy qelizat që sigurojnë vazhdimin e jetës, pra Oocitet ose vezët që prodhohen nga vezorja e gruas dhe spermatozoideve që prodhohen nga testikujt e meshkujve:

  1. Fertilizimi "klasik" – në kushte të veçanta, veza dhe një sasi e caktuar spermatozoidesh lihen bashke dhe pritet që veza ta zgjedhë vetë spermatozoidin e duhur. Kjo teknikë është praktikisht sikur ndodh bashkimi në rruge natyrale.
  2. Injeksioni intra-citoplasmik i spermës (ICSI) – me anë të kësaj teknike jemi ne që përzgjedhim spermatozoidin me parametra morfologjikë më afër normës dhe e "vendosim" në citoplazmën e vezës.

Duhet theksuar që këto teknika nuk janë shpikje të orëve të fundit por janë të njohura prej kohësh. Fertilizimi "klasik" ka qënë teknika e parë e përdorur që në beben e parë të konceptuar me Fekondim In-Vitro, më 1978. Kjo teknikë bashkimi të qelizave kryhet kur arsyeja e Infertilitetit nuk është ulja e parametrave të spermës dhe një shembull është kur arsyeja është bllokimi i Tubave të Fallopit te gruaja.

Në fillim të vitem 90 u zgjidh edhe problemi tek çiftet që si arsye infertiliteti kanë uljen e parametrave të spermës duke perfeksionuar dhe future në përdorim rutinë teknikën e ICSI-së.