IVF apo ICSI?

Cila teknikë duhet përdorur gjatë Fekondimit In-Vitro : Fertilizim "Klasik" apo Mikroinjeksion (ICSI)?!

Me shume gjasa shumë po vrasin mendjen që nuk jemi duke folur për të njëjtën gjë? Fertilizimi In-Vitro është një dhe cfarë është diferenca midis këtyre dy togfjalëve. Ka ardhur momenti që kur flasim për Fekondimin In-Vitro (IVF) të futemi pak më thellë duke rritur edhe edukimin e pacientëve që jeta i ka sjellë të përballen me këtë proçedure.

Për më tepër u nisa në kryerjen e këtij shkrimi pasi disa kohë me parë nga organizata europiane e riprodhimit human dhe embriologjisë (ESHRE) u raportua se në Shqipëri kryhet 100% teknika e ICSI-t. Duke qënë se në Shqipëri NUK ka një regjistër kombëtar për raportimin e proçedurave të IVF që kryhen, kushdo që ka raportuar këtë të dhënë e ka bërë me hamendje.

E para duhet shpjeguar se ka dy mënyra në IVF për të bashkuar dy qelizat që sigurojnë vazhdimin e jetës, pra Oocitet ose vezët që prodhohen nga vezorja e gruas dhe spermatozoideve që prodhohen nga testikujt e meshkujve:

  1. Fertilizimi "klasik" – në kushte të veçanta, veza dhe një sasi e caktuar spermatozoidesh lihen bashke dhe pritet që veza ta zgjedhë vetë spermatozoidin e duhur. Kjo teknikë është praktikisht sikur ndodh bashkimi në rruge natyrale.
  2. Injeksioni intra-citoplasmik i spermës (ICSI) – me anë të kësaj teknike jemi ne që përzgjedhim spermatozoidin me parametra morfologjikë më afër normës dhe e "vendosim" në citoplazmën e vezës.

Duhet theksuar që këto teknika nuk janë shpikje të orëve të fundit por janë të njohura prej kohësh. Fertilizimi "klasik" ka qënë teknika e parë e përdorur që në beben e parë të konceptuar me Fekondim In-Vitro, më 1978. Kjo teknikë bashkimi të qelizave kryhet kur arsyeja e Infertilitetit nuk është ulja e parametrave të spermës dhe një shembull është kur arsyeja është bllokimi i Tubave të Fallopit te gruaja.

Në fillim të vitem 90 u zgjidh edhe problemi tek çiftet që si arsye infertiliteti kanë uljen e parametrave të spermës duke perfeksionuar dhe future në përdorim rutinë teknikën e ICSI-së.

Nuk do doja të zgjatesha shumë te detajet e kryerjes së secilës teknikë por tek avantazhet dhe disavantazhet që ka secila prej tyre dhe tju sjell eksperiencën personale në këtë drejtim.

Në bazë të studimeve të kryera deri tani kur ekzistojnë kushtet e aplikimit të teknikës së fertilizimit "klasik" rezultatet kanë treguar përqindje shtatzanie gati të njejtë midis dy teknikave por përqindje më të ulët aborti dhe peshë më të lartë në lindje të fëmijëve kur teknika është fekondimi "klasik". Pra për sa kohë ekzistojnë kushtet e kryerjes së fertilizimit "klasik" nuk ka pse të mos përdoret kjo teknikë.

Kjo është një çeshtje që është ngritur si një shqetësim në të gjithë vendet. Nëse shikohet raportimi i ESHRE thuhet se përgjithësisht aplikohet në dy –të treatat e rasteve ICSI dhe në një- të tretat e rasteve fertilizimi "klasik". Arsyeja që kjo ndodh është se përqindja e fertilizimit (raporti midis embrioneve të formuara nga sa vezë të bashkuara) është më e lartë kur kryhet teknika e ICSI dhe mendohet që sa më shumë embrione të kemi aq më shumë mundësi zgjedhje kemi për të patur embrionin e duhur për të transferuar.

Kjo është një llogjikë jo e gabuar në rrjedhën e Fekondimit In-Vitro por studimet janë "kokëforte" dhe në rastet kur plotësohen kushtet për të aplikuar teknikën e fertilizimit "klasik" atëherë ajo është teknika e duhur, pamvarsisht se do kemi një numër më të ulët embrionesh të formuara.

Duhet përmendur se teknika e ICSI-t është fantastike pasi jep zgjidhje për shumë çifte që kanë arsye infertiliteti numrin e ulët të spermatozoideve , që janë 40% e çifteve infertile.

Duke ju rikthyer të dhënave të raportuara nga Shqipëria doja tju njoftoja që janë jo reale pasi në klinikën ku unë punoj, Klinika e Fertilitetit në Spitalin Hyegeia, i kryejmë të dyja teknikat dhe rezultatet kanë qënë në të njëjtën linjë me studimet e publikuara në revistat më prestigjoze. Një numër i madh çiftesh të cilët kanë pasur rezultate negative në qëndra të tjera, brenda e jashtë vendit, pas krijimit e transferimit të embrioneve të bashkuara me anë të fertilizimit "klasik" u ka dhënë rezultatin e shumë pritur.

Shkenca ka ecur me hapa të mëdha në fushën e Infertilitetit por në të njejtën kohë keto përparime shkojnë në shtimin e zgjidhjeve për problem të ndryshme të pacientëve e jo në zëvendësimin e teknikave të konsideruara të "vjetra".