Hemoglobinopatite

Hemoglobinopatitë janë sëmundje të trashëguara, të shkaktuara nga prodhimi defektoz i vargjeve proteinike të hemoglobinës. Këtu futet një grup i madh sëmundjesh, por më kryesoret dhe më të shpeshtat në vëndin tonë janë Drepanocitoza dhe Talasemitë. Më të përhapura janë në Mesdhe, Amerikën e Jugut, Indi, Afrikë, Karaibe.

Çdo vit në të gjithë Botën lindin 300,000 të sëmurë me format homozigote (30% Talasemia Major dhe 60% Anemia Drepanocitare) dhe 7% e popullsisë (420 milionë) është bartëse (format heterozigote). Shqipëria është një vënd me endemicitet të lartë të beta-Talasemisë.

Në Shqipëri ka rreth 300,000 bartës të Hemoglobinopative ose 8 % e popullsisë (duhet të jenë më shumë, për faktin se vazhdimisht zbulohen raste të reja dhe duke ekzaminuar dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që nuk kanë shqetësimë, zbulohen dhe shumë të tjerë). Shpërndarja e bartësve është heterogjene dhe frekuenca më e lartë takohet në zonat e Ultësirës Perendimore; Fieri, Lushnja, Vlora, Saranda, Berati, Kavaja, Shijaku, por dhe në Korçë, Tiranë, Dibër.

Fakti që janë më të përhapura në zonat ish-malarike (pranë kënetave) nxiti hipotezën se Malarja influencon në prevalencën e lartë të hemoglobinopative (1948 nga Haldane). Eritrocitet me përmasa të vogla tek bartësit e Talasemisë janë më rezistente ndaj parazitit të malarjes. Po kështu prevalenca e bartësve të Drepanocitozës më e madhe në zonat hiperendemike për Malaria sygjeron për rolin mbrojtës të hemoglobinës patologjike HbS kundrejt formave letale të Malaries.

Hemoglobinopatitë janë anemi hemolitike (nga shkatërrimi i eritrociteve), jo imune, të trashëguara, në bazë të të cilave qëndron dëmtimi në sintezën vargjeve proteinike të hemoglobinës. Tek Talasemia është dëmtim sasior = prodhim i pakësuar i vargjeve polipeptidike, tek Drepanocitoza është dëmtim cilësor = prodhim i vargjeve jo normale proteinike, por me sasi normale.

Funksioni bazë i eritrocitit (qeliza e kuqe e gjakut) është transportimi i hemoglobinës. Hemoglobina është një metalo-proteinë që zë pjesën më të madhe të citoplazmës së eritrociteve dhe transportuesi kryesor i oksigjenit në organizëm. Përbëhet nga katër vargje proteinike dhe secila prej tyre ka grupin Hem përkatës në qëndër të të cilës ndodhet atomi i hekurit.

Duhet të kemi parasysh se është pigmenti i hekurit (Fe) që siguron ngjyrën e kuqe të hemoglobinës, në këtë mënyrë të eritrociteve dhe për pasojë të vetë gjakut (pjesa e mbetur e gjakut pa eritrocite nuk ka ngjyrë të kuqe).

Në gjakun e një personi normal të rritur dallojmë këto tipe të Hemoglobinës (Hb);

HbA  (dy vargje α dhe dy vargje β)    ≥ 96.5 %.
HbA2 {dy vargje α dhe dy vargje δ (delta)} < 3.5 %.

Drepanocitoza është defekt cilësor i vargjeve beta, me pasojë formimin e HbA patologjike e përbërë nga dy vargje α dhe dy vargje beta patologjike, që quhet HbS. Pra në Elektroforezën e Hemoglobinës (analizë fenotipike, që është bazë në Shqipëri për zbulimin dhe diagnostikimin e Hemoglobinopative do të ketë HbA të ulur, HbS dhe HbA2.

Talasemia është defekt sasior (pakësim) i vargjeve alfa (alfa-Talasemia), beta (beta-Talasemia), ose i të dyja së bashku (kombinim më i rallë). Në rastin e alfa-Talasemive do të ketë pakësim të të dyja tipeve të homoglobinës HbA dhe HbA2 (vargjet alfa ndodhen në të dyja tipet), por proporcioni midis tyre nuk ndryshon (HbA2 nuk do të ketë rritje kompensatore si tek format beta). Në rastin e beta-Talasemive do të ketë pakësim të HbA (që ka vargje beta), me rritje kompensatore të HbA2 dhe HbF (vargjet e tepërta α që duhet të lidheshin me vargjet beta do të lidhen me vargjet δ për HbA2 dhe vargjet γ për HbF, me pasojë rritjen e tyre).

Format homozigote (gjenet patologjike përgjegjëse për prodhimin e vargjeve proteinike të hemoglobinës, trashëgohen nga të dy prindërit) të sëmundjeve, që janë të pajtueshme me jetën (Anemia Drepanocitare dhe beta -Talasemia Major/Intermedia), kanë klinikë të shprehur, komplikacione të rëndësishme, shpenzime të mëdha dhe janë raste që ndiqen në Qëndra të Specializuara Mjekësore (Tiranë, Fier, Lushnje).

Diskutimi vlen për format heterozigote të sëmundjes (vetëm gjysma e gjeneve përgjegjëse për prodhimin e vargjeve proteinike të hemoglobinës janë patologjike dhe trashëgohen nga një prind) që janë sëmundje më tepër më ndryshime laboratorike se klinike, prandaj quhen "bartësit e shëndoshë". Këta individë duke u martuar midis tyre, kanë rrezikun për të lindur pacientë me format e rënda të sëmundjeve. Ideale për mjekësinë do të ishte eleminimi i plotë i hemoglobinopative, por është e pamundur. Synohet të pakësohet sa më shumë, mundësisht asnjë rast i formave të rënda të sëmundjes dhe që është e mundur duke bërë një analizë të thjeshtë, të lirë, jo traumatike, të detyrueshme ligjërisht si Elektroforeza e Hemoglobinës.

Me urdhër Nr.439, datë 25/1/2011 "Për parandalimin e lindjeve të reja me hemoglobinopati" është bërë i detyrueshëm kontrolli i grave shtatëzane për bartëse të hemoglobinopative në tremujorin e parë të shtatëzanisë dhe në rast zbulimi të bartshmërisë së sëmundjes dhe kontrolli i bashkëshortit.

Drepanocitoza heterozigote

Drepanocitoza heterozigote (bartësi i Drepanocitozës, Sickle Cell Trait, Sickle Cell Anemia Stigma) nuk ka ankesa klinike, as shënja specifike. Problem i madh për tu zbuluar është fakti, se nuk ka ndryshime në analizën e zakonshme të gjakut periferik dhe nuk kapet as nga mjeku specialist. Të ndihmon vetëm marrja anamnezës, origjina e të dy prindërve dhe shpesh zbulohet rastësisht si rrjedhojë e ndërgjegjësimit të njerëzve, personelit mjekësor dhe respektimi i ligjit.

Jetëgjatësia dhe mortaliteti janë të njëjta si në popullatën normale. Hematuria (humbja e eritrociteve në urinë) është shënja kryesore e tyre (si rrjedhojë e infarkteve në papilat renale) dhe infarktet splenike. Infarktet splenike përshkruhen vetëm në kushtet e ambienteve me presion të ulur të oksigjenit. Aftësia koncentruese për urinën është e prekur. Megjithatë shumë nga bartësit e Drepanocitosës e tolerojnë mirë lartësinë e madhe (pakësimi i oksigjenit).

Krizat shpërthejnë vetëm në raste ekstreme p.sh nga hipoksia (pakësimi i oksigjenit), acidoza, infeksionet e shpeshta, dehidrimet dhe fenomenet trombotike. Në këto raste priten një frekuencë më e madhe e komplikacioneve dhe të vdekjeve në krahasim me popullatën normale. Për bartësit e Drepanocitozës të kontrollohet struktura e veshkave, funksioni i tyre dhe urina komplet për proteinuri (Nephropatia Sickle Cell). Të bëhet kontroll për dëmtimin e retinës (Retinopatia Sickle Cell).

Përmbajnë si HbA dhe HbS, HbS varion nga 25-45% dhe HbA është gjithmonë më e lartë se HbS.

Kujdes duhet patur gjatë shtatëzanisë, udhëtimeve në lartësi dhe anestezisë (të bëhet oksigjenimi adekuat dhe të shmanget dehidrimi postoperator). Në shumë raste të vdekjeve të papritura tek ushtarët dhe atletët që bëjnë ushtrime fizike të rënda është zbuluar prania e sasive relative të HbS dhe HbA. Testi i drapëzimit është pozitiv.

Qëllimi i mjekut është të parandalojë format homozigote të sëmundjes (që gjithsesi janë të pajtueshme me jetën), që ndodh kur të dy prindërit janë të sëmurë me Anemia Drepanocitoare (forma homozigote) që në përgjithësi është i njohur, kur njëri nga prindërit është me Anemia Drepanocitare dhe tjetri bartës i Drepanocitozës, por problemi më i madh në praktikë është kur të dy prindërit e ardhshëm janë bartës (pa klinikë, pa ndryshime në analizën e zakonshme të gjakut periferik) dhe pa histori familjare për Anemia Drepanocitare. Këtë të fundit synon ta parandalojë zbatimi i ligjit të mësipërm (grua shtatëzane me detyrim të bëjë Elektroforezën e Hemoglobinës).

Kujdes Elektroforeza e Hemoglobinës është analizë fenotipike, ajo nuk e ka saktësinë e analizës gjenetike. Interpretimi i saj duhet të bëhet nga mjeku specialist.

Talasemitë

Termi Talasemia vjen nga greqishtja (thalassa ("det") and -emia ("gjak") dhe tregon se është një sëmundje karakteristike për zonat bregdetare, tipike për pellgun e Detit Mesdhe.

Janë një grup i madh sëmundjesh të trashëgueshme, të cilat karakterizohen nga pakësimi i shkallëve të ndryshme të sintezës së vargjeve të hemoglobinës (defiçit sasior të vargjeve α apo β të hemoglobinës). Për α-Talasemia të jetueshme janë format heterozigote (format homozigote vdesin gjatë shtatëzanisë) dhe kur flasim për Talasemia në përgjithësi flitet për format α të Talasemisë (ku dhe forma Major sado problemet e shumta që ka është e pajtueshme me jetën).

Klasifikimi klinik i sindromeve talasemike
  1. Hidropsi Fetal (mungesë e 4 gjeneve alfa) me vdekje gjatë shtatëzanisë (in utero) të fetusit.
  2. beta-Talasemia Major – homozigote, e varur nga transfuzioni i rregullt i gjakut dhe pasojat përkatëse.
  3. Talasemia Intermedia – shumë heterogjene, nuk ka nevojë për transfuzion të rregullt të gjakut.
  4. alfa, beta - Talasemia Minor – bartësit e Talasemisë, nuk kanë nevojë për transfuzion të gjakut.

Në varësi të defiçitit të vargut proteinik, ka alfa-Talasemia (ku ka defiçit të vargjeve α, ose disfunksion të tyre) dhe beta-Talasemia (ku ka defiçit të vargjeve β ose disfunksion të tyre). Për vargjet α kodojnë katër alele (gjene) dhe për vargjet β vetëm dy. Vargjet α janë të domosdoshme për sintezën e Hb si në jetën intrauterine ashtu edhe pas lindjes. Ndërsa vargjet β janë të domosdoshme vetëm për HbA, e cili shfaqet pas muajit të 6-të jetës kur zëvëndëson HbF, prandaj defiçiti i vargjeve α shfaqet klinikisht që në jetën intrauterine, ndërsa i vargjeve β vetëm pas muajit të 6 - të, kur HbA do të jetë hemoglobina kryesore. Pra klinika dhe laboratori i beta-Talasemisë dhe Drepanocitozës do të shfaqen vetëm pas muajit të 6-të.

α -Talasemia Minor (bartësi i α -Talasemia, α-Talasemia trait)

Kur mungojnë një ose dy gjene alfa flitet për α-Talasemia trait. Karakteristike është numëri i rritur i eritrociteve, hemoglobina në vlera normale ose lehtësisht e ulur, MCV dhe MCH të ulura (konstantet eritrocitare të përmasave dhe përmbajtjes me hemoglobinë). Elektroforeza e Hemoglobinës është normale. Diagnoza është e lehtë tek i porsalinduri sepse MCV është e ulët dhe mund të zbulohet një sasi e rritur e HbBart. Pas periudhës kësaj periudhe, diagnoza është e vështirë.

Sëmundja dyshohet nga eritrocitoza, hemoglobina normale (mospërputhje e numërit të eritrociteve me vlerën e hemoglobinës sipas rregullës së 3 për eritrocitet normokrome, normocitare), pakësimi i MCV dhe MCH, në mungesë të defiçitit të hekurit dhe të ndryshimeve elektroforetike. Ndryshimet morfologjike të eritrociteve janë më pak të shprehura se tek β-Talasemia dhe granulacionet bazofile rrallë shihen. Ka rezistencë ndaj mjekimit me hekur. Konfirmimi i diagnozës bëhet duke studiuar të 2 prindërit nëse është e mundur për ndryshime ose me zbulimin e inkluzioneve të HbH tek eritrocitet e gjakut periferik të ngjyrosura me Brillant Cresyl Blue (retikulocitet).

Për të vendosur diagnozën e saktë, por nuk bëhen në vëndin tonë, është e domosdoshme të vlerësohet raporti α/β (tek retikulocitet) i vargjeve proteinike, që në normë është 1:1 dhe në alfa-Talaemitë është i pakësuar, ndërsa tek beta-Talasemitë është i rritur. Gjithashtu bëhet edhe analiza e ADN.

β-Talasemia minor (bartësi i β -Talasemia, β-Talasemia Trait)

Zbulohet në përgjithësi rastësisht, gjatë një ekzaminimi ose depistimi. Karakterizohet nga ndryshime në gjakun periferik; anemia e lehtë hipokrome mikrocitare, Hb 9-12 gr/dl, numër më i madh eritrocite se norma, MCV dhe MCH të ulura, HbA2 (në elektroforezën e Hb) është i rritur mbi 3.5% (3.5-8%). HbF është normale ose lehtësisht e rritur.

Kujdes vlerat kufi HbA2 = 3.5 % (Elektroforeza e Hemoglobinës duhet të vlerësohet nga specialisti, nuk ka saktësinë e analizës gjenetike, gabimet janë të mundshme).

Klinikisht është pa shënja ose me shënja shumë të lehta. Mund të ketë zbehje të lehtë, subikter ose ikter (zverdhje) të lëkurës dhe sklerave, splenomegali, ndryshime radiografike në kockat e gjata. Numëri i retikulociteve dhe vlera e bilurubinës indirekte mund të jenë lehtësisht të rritura. Hekuri (ferritinemia) në organizëm është në vlera normale ose të rritura. Shpesh herë ngatërohet me aneminë ferriprive dhe mjekohet gabimisht me hekur. Thithja e hekurit është më e rritur se tek njërëzit normal dhe në disa raste mund të shkaktojë dhe klinikën e hemosiderozës.

Në kontrast me shkallën e lehtë të anemisë, alteracionet morfologjike në serinë e kuqe janë të shprehura. Këtu futen mikrocitoza, hipokromia, poikilocitoza (qelizat target, leptocitet, granulacionet bazofile). PKK është normale ose me një hiperplazi të lehtë të serisë eritroide. Nuk zbulohen inkluzione të vargjeve α, të precipituara në prekursorët e serisë së kuqe me ngjyrimin metil violet. Studimet eritrokinetike tregojnë një jetëgjatësi lehtësisht të shkurtuar të eritrociteve dhe një eritropoezë modeste inefektive.

Fëmijët që do të zhvillojnë talasemia minor, në lindje janë normal dhe duke filluar nga mosha 4 – 6 muaj vlerat e hemoglobinës, MCV, MCH, HbA2 dhe HbF dalin jashtë vlerave normale. Rrënia pas lindjes e HbF është e vonuar dhe rritja e HbA2 përshpejtohet.

Përderisa sinteza e hemoglobinës ka nevojë për hekur dhe Acid Folik, defiçiti i tyre mund të shkaktojë nivele të ulura të hemoglobinës (dhe për rrjedhojë dhe të HbA2) dhe nivele më të larta të HbA2 nuk mund të gjenden derisa të bëhet korigjimi i defiçitit të përkatës. Kur dyshohet për Talasemia Minor, në fillim të bëhet korrigjimi i Anemisë nga Defiçiti i Hekurit nëse konfirmohet (Ferritinemia është bazë) dhe i Anemisë nga Defiçiti i Acidit Folik (defiçitet përkatëse vetëm pa anemia, nuk ka problem) për të eleminuar çdo anemi të mbishtuar dhe ngelur vetëm anemia e lindur.

Në β-thalassemia do të preket (pakësohet) vetëm HbA (si pasojë e mungesës së vargjeve β), ndërsa HbA2 do të shtohet në mënyrë kompensatore (për të kompensuar vargjet e tepërta α që do të lidhen me δ) dhe po në mënyrë kompensatore do të shtohet HbF (për të kompensuar vargjet e tepërta α që do të lidhen me γ).

Një rregull praktike (The Mentzer index); të bëhet raporti midis MCV me numërin e Eritrociteve (RBC). Nëse ky raport është < se 13 flitet për Talassemia Minor dhe kur është > 13 flitet për Anemia Ferriprive.

Pacientët me Thalassemia Minor mund të dhurojnë gjak (nëse ja lejojnë parametrat e gjakut dhe mosha). Dhe kanë dhuruar sepse shumë prej tyre nuk e dinë. Në Shqipëri eritrocitet e tyre (me jetëgjatësi më të shkurtër se eritrocitet normale) zakonisht i jepen një personi normal dhe jo një me Hb-pati.

Fraksionet e Hemoglobinës në Variantet Gjenotipike të beta-Talasemia Minor.

Gjenotipi HbA (%) HbA2 (%) HbF (%) Hb të tjera
Normal
β/β
≥ 96.5 < 3.5 0 Asnjë
Talasemia Minor
β+/β
β°/β
(δβ)°/β

> 90
> 90
< 90

3.5 - 8.0
3.5 - 8.0
2.5 - 3.0

1 - 2
1 - 2
5 - 20

Asnjë
Asnjë
Asnjë
Parandalimi dhe Menaxhimi i Hemoglobinopative

Parandalimi i formave homozigote homogjen apo heterogjene të hemoglobinopative apo çdo sëmundje tjetër gjenetike recezive autozomale (se patologjitë dominante dhe tek heterozigoti dallohen) bëhet me anë të:

  1. Këshillimit gjenetik.
  2. Diagnozës prenatale.
  3. Ndërprerjen e shtatëzanisë.

Hemoglobinopatitë trashëgohen shpesh si Sëmundje Reçezive Autozomale. Për herë të parë u raportua transmetimi dominant autozomal i Talasemisë, në një familje irlandeze.

Praktikisht mundësia më e madhe është martesa e një bartësi për hemoglobinopati me një të shëndoshë dhe me problematiku kur të dy prindërit janë bartës të të njëjtës hemoglobinopati ose hemoglobinopative të ndryshme.

  1. Nëse një nga prindërit është bartës dhe tjetri i shëndoshë, çdo fëmijë i këtij çifti ka ½ (50%) mundësi të jetë i shëndoshë dhe ½ (50 %) të jenë bartës.
  2. Nëse të dy prindërit janë bartës, çdo fëmijë i këtij çifti ka ¼ (25%) mundësi të jetë i shëndoshë, ½ (50%) të jetë bartës dhe ¼ (25%) të jetë i sëmurë me format e rënda/intermediare të sëmundjes/sëmundjeve. Mjeku hematolog, gjenetist lufton për shansin e fundit.
  3. Deri në javën e 16 të jetës shtatëzanisë mund të bëhet amniocenteza tek gruaja shtatëzane, ku arrihet të merren qeliza të epitelit të fëmijës në lëngun amniotik dhe i bëhet analiza gjenetike për hemoglobinopati. Nëse konstatohet forma e rëndë/intermediare e hemoglobinopatisë i takon çiftit të vendosi ndërprerjen ose jo të shtatëzanisë pasi i bëhen të ditura pasojat e sëmundjes.

Këshillimi dhe testimi gjenetik, për të parandaluar martesat midis bartësve dhe për të parandaluar lindjen e fëmijëve me Thalassemi Major kur një martesë e tillë është bërë është i rekomanduar për ato familje të cilat kanë bartës të Thalassemisë. Një politikë e tillë ekziston në të dyja anët e ishullit të Qipros, në mënyrë që të pakësohet incidenca e Thalasemisë Major. Ky program ka filluar të përdoret që nga viti 1970 dhe përfshin depistimin pre-natal dhe abortin. Në këtë mënyrë është ulur numëri i fëmijëve me sëmundje të gjakut të trashëgueshme në pothuajse 0.

Rregulla e Treshit

Ka një lidhje midis numrit të eritrociteve, vlerave të hemoglobinës dhe hematokritit për eritrocite normokrome, normocitare. Të tre këto vlera ndjekin rregullën e treshit:

Shembull: Eritrocite 5,000,000 mm³ = 15 gr/dl hemoglobinë (5.0 x 3) = 45 % hematokriti (15 x 3).

Nëse një pacient ka 5,000,000 mm³ eritrocite dhe 12 gr/dl hemoglobinë (dhe hematokriti do të jetë i ulët, sepse nuk ka rëndësi vetëm numëri i eritrociteve por dhe volumi i tyre që është i zvogëluar), është e sigurtë që nuk ka përmbajtje normale të hemoglobinës (duhej të kishte 15 gr/dl), pra janë hipokrome. Për një mjek që nuk merret me hemoglobinopatitë dhe që e di se veç e veç vlerat e eritrociteve dhe të hemoglobinës janë normale, aty ka një mospërputhje midis tyre. Të bëhet Ferritinemia, Elektroforeza e Hemoglobinës.

Rëndësia praktike në vlerësimin e bartësve të Hemoglobinopative
  1. Janë sëmundje të lehta të lindura, nuk mjekohen. Vetëm konstatohen. Ndryshimet laboratorike të përshkruara më sipër janë permanente gjatë të gjithë jetës. Nëse ka ndryshime janë mbishtuar anemi të tjera, që nëse vlerësohen dhe trajtohen siç duhet janë të korrigjueshme.
  2. Mund të zbulohen gjatë jetës, mund të mos zbulohen asnjëherë. Ndryshimet në raportin midis numërit të eritrociteve dhe hemoglobinës e dallon vetëm mjeku hematolog. Ka shumë gabime në vlerësimin e këtij raporti (disa mjekë vlerësojnë si tregues të anemsië, numërin e eritrociteve, disa vlerën e hemoglobinës dhe mundet që ato veç e veç të jenë në normë, por nuk përputhen midis tyre).
  3. Nuk kanë asnjë ndikim në jetëgjatësinë dhe sëmundshmërinë e bartësit.
  4. Bartësit e Talasemia Minor, nuk kanë asnjë pengesë për çdo llojë pune, apo aktiviteti fizik. Pete Sampras dhe Zinedine Zidane (i pari me origjinë greke, i dyti algjeriane) arritën nivelet me të larta të sportit. Shqetësimi kryesor i tyre ishte vetëm djersa e shtuar. http://powerofthegene.com/joomla/index.php/genetically-inherited-diseases/blood-disorders/thalassemia.
  5. Kujdes duhet të tregohet për bartësit e drepanocitozës, që në kushte të aktivitetit të rëndë fizik (ushtarakët, sportista), apo në lartësi të mëdha mund të pësojnë krizat vazo-okluzive të sëmundjes me pasojë disa raste dhe vdekjen. Ushtarakët dhe atletët e sporteve të rënda duhet të bëjnë me detyrim Elektroforezën e Hemoglobinës. http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/22442191. http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/22809753. http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC2569637/.
  6. Nëse bartësi i Talasemisë ka sëmundje të tjera apo nevojë për ndërhyrje kirurgjikale do të trajtohet si një individ normal. Kujdes tek bartësit e drepanocitozës gjatë shtatëzanisë dhe kirurgjisë.
  7. Për shkak të shkatërrimit më të shtuar të eritrociteve (hemolizë) do të prodhohet më shumë bilurubinë, me pasojë formimin më të shpeshtë të gurrëve në fshikzën e tëmthit (kolelitiaza). Kujdes histori me kolelitiazë, anemia, sidomos kur ka karakter familjar të dyshohet dhe për Talasemia Minor.
  8. Për shkak të shkatërrimit më të shtuar të eritrociteve (hemolizë) dhe tendencës për të rritur thithjen e hekurit (tek njerëzit normalë thithja e hekurit është e përsosur në varësi të nevojave të organizmit) sasia e hekurit (Ferritinemia) është normale ose e rritur. Në të tilla raste nuk ka kuptim të përdoret hekur. Vetëm nëse konstatohet ferritinemia e ulur (për shkaqe kryesisht me humbje te vogla të përsëritura të gjakut) do të përdoret hekur. Nëse ka vetëm ferritinemia e ulur (Defiçiti i Hekurit), mjekimi me Dozën Terapeutike të hekurit do të behet deri në korrigjimin e këtij defiçiti, nëse ka dhe Anemia nga Defiçiti i Hekurit do të korrigjohet një pjesë e anemisë e lidhur me mungesën e hekurit (por jo të anemisë së lindur) dhe mjekimi do të ndërpritet me korrigjimin e Defiçitit të Hekurit. Të vlerësohet shkaku i humbjes së hekurit (beninj, malinj).
  9. Për shkak të shkatërrimit më të shtuar të eritrociteve (hemolizë) dhe rritje kompensatore të eritropoezës në Palcën e Kuqe të Kockave do të konsumohen dhe lëndët e para për prodhimin e eritrociteve, ku më i rrezikuari është Acidi Folik (rezerva vetëm për 2 muaj). Nëse ndodh defiçiti i tij, mund të instalohet dhe Anemia nga Defiçiti i Acidit Folik, që gjithsesi është e korrigjueshme në mjekimin me Dozën Terapeutike të Acidit Folik (do të korrigjohet një pjesë e anemisë e lidhur me mungesën e Acidit Folik, por jo pjesa e anemisë së lindur). Për të parandaluar defiçitin e Acidit Folik dhe aneminë përkatëse, përdorim rregullisht profilaksi me Acid Folik.
  10. Por hekuri, Acidi Folik nuk janë mjekime për Talasemia Minor. Ato përdoren për të korrigjuar apo prandaluar anemitë përkatëse të mbishtuara. Njerëzit gabimisht e marrin si mjekim të Talasemia Minor dhe presin korrigjimin e saj. Asnjë korrigjim nuk do të presin, Talasemia Minor është e pamjekueshme, permanente gjatë të gjithë jetës.
  11. Shqetësimi i vetëm i mjekut për hemoglobinopatitë është: të parandalojë format majore/intermedia të Sindromit Talasemik dhe Anemia Drepanocitare, të cilat ndodhin kur të dy pjestarët e çiftit janë bartës/të sëmurë më hemoglobinopati. Nëse nuk bëhet Elektroforeza e Hemoglobinës, çdo gjë i lihet në dorë shansit, siç ka ndodhur deri para disa vitesh dhe që ndodh akoma.
  12. Lindja e Anemisë Drepanocitare dhe mund të falet, sepse nuk ka klinikë dhe ndryshime laboratorike, por nuk falet lindja e formave të rënda të Sindromit Talasemik, bartësit e të cilës kanë ndryshime laboratorike dhe klinikë të lehtë.
  13. Nuk duhet bërë Elektroforeza e Hemoglobinës, nëse pacienti sapo është transfuzuar (të bëhet 2 muaj pas transfuzionit të fundit), kur fëmija është < 1 vjeç dhe kur gjaku përmban koagula.
  14. Hemoglobinopatitë shpesh shoqërohen dhe me anemi hemolitike nga defiçitet enzimatike, sidomos me defiçitin e G6PDH (të dyshohet kur hemoglobina pakësohet).
  15. Nga martesa e një bartësi ose të sëmuri me Talasemia me një bartës ose të sëmurë me Drepanocitozë lindin ose mund të lindin fëmijë me të dyja patologjitë në të njëjtën kohë (Talaso-Drepanocitoza).
  16. Trajtimi i formave madhore/intermediare të pajtueshme me jetën: