Duhet patur parasysh se përqëndrimet e ferritinemisë rriten në fazën akute të përgjigjes inflamatore (infeksioze ose jo). Kur ka një sëmundje inflamatore (infektive ose jo infektive si AR, kancer etj) vlera e ferritinemisë (si proteinë e fazës akute të inflamacionit) është më e rritur, por gjithmonë më pak se 50-60 μg/l (në këtë rast ndihmë jep matja e sideremisë që kur është e ulët është e sigurtë që ka defiçit të hekurit).
Vlera e ferritinemisë është më përcaktuesja (91% e rasteve) për vendosjen e diagnozës së anemisë ferriprive, nga të gjitha testet e tjera të defiçitit të hekurit. Për faktin se ferritinemia del e rritur në çdo proces akut inflamator, defiçiti i hekurit është potencialisht i pavlerësuar në vëndet në zhvillim, ku prevalence e inflamacionit është e lartë.
Sideremia tregon sasinë e hekurit qarkullues në plazmë i lidhur me transferrinën. Ka vlerë diagnostikuese për Aneminë Ferriprive vetëm kur është e ulët. Nëse është normale ose më e rritur nuk ka vlerë. Ajo mund të jetë faktikisht e ulët, por nëse pacienti ka marrë një ushqim që përmban hekur dhe që thithet, ka marrë suplement të hekurit ose preparat terapeutik, apo nga vetë pjesa metalike e ages së shiringës ajo del normale.
Ferritinemia nuk ndikohet nga një marrje ose disa marrje të hekurit me ushqime, me suplemente apo preparate terapeutike, kur për ta korrigjuar atë duhen të paktën 6 javë (nëse është hequr shkaku, se nëse përsiston duhen më shumë) me dozë terapeutike mjekuese hekuri (180-200 mg hekur elementar).
Shëmbull i laboratorit të Anemisë Hipokrome, Mikrocitare
| CBC | Rezultatet | Normat |
| RBC (x1012/L) | 4.2 | 4.2-5.4 |
| Hgb (g/dL) | 10.6 | 11.5-15.5 |
| Hct | 34.9% | 38%-47% |
| MCV (mm3) | 77.0 | 80-96 |
| MCHC | 30.4% | 32-36% |
Rules of Three:
Për qëllime praktike mund të përdoret Rregulla e Treshit për Serinë e Kuqe (eritrocitare). Duhet theksuar se kjo ka vlerë për anemitë normokrome. Si rregull po të shumëzosh vlerat e para të numërit të eritrociteve normokrome, me 3 del Hb. P.sh Eritrocitet janë 4.5 milion/mm3 (4.5 x 106/mm3 ose 4.5 x 1012/L) dhe Hb do të jetë 4.5 x 3 = 13.5 gr/dL nëse eritrocitet janë normokrome, pra të mbushur në maksimumin e tyre më Hb. Nëse shumëzohet vlerat e para të eritrociteve me 9 ose vlerën e Hb me 3 do të dali hematokriti ; 4.5 x 9 ose 13.5 x 3 = 40.5 % nëse eritrocitet janë normokrome pra të mbushura në makimumin e tyre me Hb. Nëse ke 4.5 milion/mm3 eritrocite, por vetëm 10 gr/dl Hb atëherë mund të llogarisësh me mënd se pacienti ka hipokromi, sepse nëse do të kishte normokromi duhej të kishte 13.5 gr/dL Hb.
Mund të kesh eritrocite në vlera normale, por po qënë më të vegjël në përmasa (detyrimisht do të ketë hipokromi sepse Hb e matur është gjithmonë vetëm brënda eritrocitit) dhe hematokriti do të dali më i ulët sepse volumi që do të zënë eritrocitet (pavarësisht në numër normal) do të jetë më i vogël.
Trajtimi me preparate orale të hekurit është ideale për korrigjimin e klinikës dhe laboratorit të Anemisë Ferriprive dhe mbushjes së depove të hekurit, përderisa përdor mekanizmat normal të organizmit. Kalimi i shkurtër në Traktin G-I e kufizon absorbimin e hekurit. Vetëm 2-3 mg hekur elementar thithet për 50-100 mg hekur prezent në lumenin intestinal.
Zëvëndësimi i 2000 mg hekur defiçit mund të kërkojë më shumë se 1 vit terapi. Shumë pacientë dështojnë të ndjekin një regjim mjekësor kaq të gjatë. Dështime terapeutike janë të shpeshta në mjekimin per os të defiçitit të hekurit dhe të Anemisë Ferriprive. Në këto raste kalohet në mjekimin parenteral (I/V ose I/M) që kërkojnë llogaritje të saktë të korrigjimit të anemisë dhe të mbushje së depove (formula të caktuara) apo më efikase (por jo e këshillueshme me hemotransfuzion, kur dihet se në 400 ml gjak ka 200 mg hekur elementar). Në mjekimin parenteral kalohen hallkat fizologjike të thithjes së hekurit, sepse ai kalohet direct në qarkullim, ku do të lidhet me transferrinën.
Duhet theksuar se nuk rekomandohet përdorimi i hemotransfuzioneve në aneminë ferriprive, sepse ajo është një anemi kronike (duhen 4 muaj që popullata normale eritrocitare të zëvëndësohet e gjitha me popullatën hipokrome, mikrocitare ferrodefiçitare sepse çdo eritrocit jeton mesatarisht 120 ditë, 4 muaj) dhe si e tillë suportohet mirë nga pacientët dhe ne vlera të moderuara ose të thella të saj.
Anemia Ferriprive nuk është një sëmundje e mirëfilltë, ajo është pasojë e shkakut. Mjekët dhe pacientët duhet të priren për të gjetur dhe eleminuar nëse është e mundur shkaku, anemia ferriprive korrigjohet.
Në shumicën e rasteve në praktikë, të paktën në Shqipëri i thuhet pacientit të marri ushqime që janë të pasura me hekur (shpretka dhe vera e kuqe të përshkruara pothuajse gjithmonë). Ato kanë hekur, por jo të sasisë së tillë që duhet për të korrigjuar defiçitin (doza terapeutike e hekurit është 180 – 200 mg hekur elementar).
Nëse do të mjekosh defiçitin e hekurit me ushqime duhen 4.5 kg mish/ditë për minimum 3 muaj rresht. Praktikisht e pamundur, prandaj preferohen preparatet terapeutike per os (jo thjesht suplementet të hekurit që përmbajnë 15-20 mg hekur elementar sa i duhet një njeri me depo hekuri normale). Të vlerësohet preparati terapeutik i hekurit.
Vlerësimi nuk bëhet nga madhësia e tbaletës, por nga përmbajtje e hekurit elementar në të. P.sh, tablet e Ferri Sulfatit 300 mg ka 60 mg hekur elementar, që do të thotë se pacienti duhet të marri 3 tableta në ditë (3 x 60 mg = 180 mg hekur elementar). Mund të marrësh më shumë, por nuk do të ketë ndonjë vlerë, përveçse do të ngacmojë më shumë mukozën e Traktit Gastro-Intestinal. Organizmi thith sa duhet, pjesa tjetër do të eleminohet me feçe (të cilat marrin gjyrë të errët).
Although heme iron is better absorbed than inorganic iron, the quantity of heme iron in meat is actually quite small. In fact, an average (3-ounce) serving of steak provides only about 3 mg of iron. Provision of sufficient dietary iron to permit a maximal rate of recovery from iron-deficiency anemia might require a daily intake of at least 10 pounds of steak (4.535924 kg). For these and other reasons, medicinal iron is much superior to dietary iron in the therapy of iron deficiency
Mjekimi më ekonomik dhe efektiv në trajtimin e defiçitit të hekurit është administrimi oral i kripërave të sulfatit të hekurit. Ferri sulfati është preparati më efektiv, më mirë i tolerueshëm dhe më pak i shtrenjtë. Aktualisht në vëndin tonë Ferri sulfati gjëndet në formën e Retaferit i cili përmban 100 mg hekur elementar. Doza ditore terapeutike (mjekuese) e hekurit është 180-200 mg Fe elementar (metali i hekurit). Kjo do të thotë që duhen dy tableta në ditë.
Ka edhe preparate Fe të tjera të cilat kanë më pak Fe elementar (pra ngacmojnë më pak mukozën gastrointestinale), por në të gjitha rastet duhet të merret doza ditore terapeutike e hekurit prej 180-200 mg Fe elementar. Hekuri thithet më mirë kur merret me stomakun bosh, ndërsa kur merret pas ushqimit ose së bashku me të thithja e hekurit pakësohet me 40-50%. Por irritimi i mukozës G-I është i shpeshtë kur hekuri merret me stomakun bosh.
Qëllimi i mjekimit nuk është vetëm shkalla e rritjes së Hb, por dhe mirëqënia e pacientit. Pra këshillohet pacienti ta marri preparatin e hekurit në mes të ushqimit ose pas tij, sepse suportimi i mjekimit është më i rëndësishëm se pakësimi i thithjes së hekurit. Thithja e hekurit rritet kur preparati merret në prani të lëngut të portokallit ose limonit, mishit, peshkut, Vitaminës C dhe frenohet kur merret në prani të qumështit, çajit, tetraciklinës, kinoloneve, metildopës, kalçiumit dhe çerealeve. Dhe sasia e ushqimit ka rëndësi.
Sa më e madhe sasia e ushqimit të ngrënë aq më mirë do të tolerohet preparati i hekurit. Është parë gjithashtu se hekuri (kripërat e tij) tolerohen mirë kur merret duke e rritur dozën gradualisht derisa të arrihet për disa ditë doza e plotë e preparatit. Nëse shfaqet ngacmimi i mukozës gastro-intestinale dhe kur shkalla e anemisë është e lehtë dhe/ose largohet shkaku mund të bëhet mjekimi i anemisë ferriprive me një dozë terapeutike të hekurit deri në 100 mg/ditë. Në këtë mënyrë ulim shpejtësinë e përgjigjes ndaj mjekimit, por rritim tolerancën ndaj mjekimit.
Nëse pacienti nuk e toleron Ferri sulfatin, mund të përdoren kripërat e tjera të hekurit: glukonat, fumarat (të dyja të krahasuara me efektin e ferri sulfatit), laktat, suksinat. Disa prej tyre janë më të shtrenjta se Ferri sulfati.
Në disa raste mund të bëhet korigjimi i defiçitit të hekurit duke marrë hekur në rrugë parenterale (intramuskulare ose intravenoze) që duhet theksuar se është jo vetëm më e kushtueshme se mjekimi oral, por ka dhe rrezikun e një sërë efektesh anësore (reaksione anafilaktike, tromboflebite, forcim të indit, ngjyrosje të tij etj) dhe preferohen të bëhen në prani të qëndrave të specializuara.
Mjekimi si rregull vazhdon minimumi 3 muaj (6 javë për të eleminuar klinikën e defiçitit të hekurit dhe 6 javë për të mbushur depot). Por mund të vazhdojë dhe më gjatë nëse nuk eleminohet shkaku. Pra qëllimi i mjekimit nuk është thjeshtë të normalizojë simptomat dhe shënjat e defiçitit të hekurit, normalizimin e numërit të rruazave të kuqe dhe të hemoglobinemisë, por të mbushi depot. Mbushja e depove vlerësohet me normalizimin e ferritinemisë.