Anemia, besimet e rreme që na kushtojnë shëndetin. (Pjesa e parë)

Çfarë është Anemia?

Anemia është sëmundja më e shpeshtë hematologjike. Tradicionalisht vlera klinike e anemisë është nënvlerësuar (nuk ka dhimbje, por lodhjen si simptomin kryesor që nuk është shumë specifike dhe e mprehtë si dhimbja). Në praktikën tonë mjekësore anemia keqvlerësohet, keqdiagnostikohet, keqmjekohet.

Zbulimi i shkakut të anemisë, është më i rëndësishëm se dhe vetë mjekimi i anemisë (shkaku i anemisë mund të jetë një sëmundje malinje). Po kështu mostrajtimi i anemisë ka pasoja në kostot e kujdesit shëndetësor dhe ulje të produktivitetit në punë. Pra, anemia duhet vlerësuar dhe trajtuar siç duhet nga mjekët, nëse nuk munden dërgoje tek hematologu.

Megjithëse nga ana fispatologjike, anemia përkufizohet si pakësim i masës totale të eritrociteve në qarkullim, ajo nga ana funksionale përkufizohet si pakësim i kapacitetit transportues të gjakut për oksigjenin me pasojë hipoksinë indore. Funksioni i parë i gjakut, identifikimi i tij, është transporti i oksigjenit.

Të gjitha qelizat varen nga oksigjeni për të jetuar, shkallë të ndryshme të anemisë do të kenë shkallë të ndryshme hipo-oksigjenimi qelizor dhe pasojash klinike dhe kjo do të përcaktohet nga shpejtësia e instalimit të anemisë, grada e saj, mosha e pacientit dhe kurba e disocimit të hemoglobinës nga oksigjeni, siç do të shohim më poshtë.

Termi "anemi" i përdorur në mjekësinë klinike i referohet reduktimit poshtë vlerave normale të pranuara të hemoglobinës (sipas moshës dhe seksit të personit) me ose pa ulje të numrit absolut të eritrociteve. Pakësimi i hemoglobinës çon në shfaqjen e simptomave dhe shenjave të anemisë.

Në praktikën e përditshme për vlerësimin e anemisë krahas përqëndrimit të hemoglobinës, përdoren dhe Numri i Eritrociteve (RBC) dhe Vlera e Hematokritit (Hct). Hematokriti vlerëson raportin e eritrociteve, në krahasim me plazmën (mjedisin e lëngshëm ku ato ndodhen).

Kështu që kur vlerësojmë aneminë, duhet të vlerësohet dhe volumi plazmatik, nëse është i rritur me pasojë hollimin e elementeve të figuruar të gjakut apo është i pakësuar me pasojë një rritje jo reale e numrit të elementeve të figuruara të gjakut. Në këto raste vlerësimi duhet bërë pas korrigjimit të volumit plazmatik. Në vlerat normale të të tre parametrave ndikojnë një sërë faktorësh të rëndësishëm, si: seksi, mosha, raca, lartësia e vendit ku jetojnë.

Diametri i eritrociteve është 6-8 mm (mesatarisht 7.5 mm). Eritrocitet me përmasa normale quhen normocite, eritrocitet me përmasa < 6 mikrometër quhen mikrocite (qeliza të vogla), eritrocitet me përmasa > 9 mikrometër quhen makrocitete (të mëdha), eritrocitet me përmasa > 12 mikrometër quhen megalocite (shumë të mëdha).

Përsa i përket ngjyrës, eritrocitet janë normokrome (ngjyrë normale), hipokrome (me pakësim të ngjyrës), por jo hiperkrome përderisa një eritrocit normokrom do të thotë se ai është i mbushur në kapacitetin maksimal të tij për madhësinë që ka.

Për shkak të numrit të madh të eritrociteve që prodhohen çdo ditë nga PKK, kërkohen shumë pararendës për prodhimin e qelizave të reja dhe të sasive të mëdha të hemoglobinës. Këto substanca janë:

  1. Metalet: hekur, manganez dhe kobalt.
  2. Vitamina: Vitamina B12, Acidi Folik, Vitamina B6, Vitamina C, Vitamina B1, Vitamina B2, Vitamina E.
  3. Aminoacidet.
  4. Substanca rregullatore: Eritropoetina, faktorët e rritjes, androgjenët, glukokortikoidët, Tiroksina.

Disa të dhëna për serinë e kuqe tek adultët (Seria Eritrocitare)

  1. Hemoglobina (gr/dl): 13.0-17.5 (meshkuj) dhe 12-15.5 (femra)
  2. Numri i eritrociteve (RBC, në milion/mm3): 4.5-6.5 (meshkuj) dhe 4-5.6 (femra)
  3. Hematokriti (Hct ose PCV në %): 42-52 (meshkuj) dhe 35-45 (femra)
  4. Retikulocitet, vlera normale është 0-20 ‰ ose 0-2 %
Rregulla e Treshit

Ka një lidhje midis numrit të eritrociteve, vlerave të hemoglobinës dhe hematokritit për eritrocite normokrome, normocitare. Të tre këto vlera ndjekin rregullën e treshit:

Shembull: Eritrocite 5,000,000 mm3 = 15 gr/dl hemoglobinë (5.0 x 3) = 45 % hematokriti (15 x 3).

Konstantet eritrocitare (të llogaritura ose të nxjerra nga analiza e gjakut periferik të bërë me aparat) MCV, MCH, MCHC u përshkruan për herë të parë nga Wintrobe në 1929 për të vlerësuar përmasat (MCV) dhe përmbajtjen e hemoglobinës (MCH, MCHC) tek eritrocitet. Në një analizë të gjakut periferik të bërë në aparatet automatike do të vlerësohen:

  1. Volumi Eritrocitar Mesatar (MCV) vlerëson përmasat e një eritrociti “mesatar” në analizën e marrë. Vlera normale 87 ± 7 fl. Në këto raste flasim për normocitozë, më pak mikrocitozë, më shumë makrocitozë dhe megalocitozë.
  2. Përmbajtja Eritrocitare Mesatare në Hb (MCH) vlerëson sasinë absolute të hemoglobinës për një eritrocit “mesatar”. Vlera normale 29 ± 2 picograms (pg) për eritrocit. Në këto raste flasim për normokromi dhe poshtë kësaj vlere për hipokromi.
  3. Koncentrimi Eritrocitar Mesatar në Hb (MCHC) vlerëson sasinë mesatare të hemoglobinës për qelizë. Ndryshe nga MCH, MCHC korrelon përmbajtjen e hemoglobinës me volumin e qelizës. Vlerat normale janë 34 ± 2 g/dl. Në këto raste flasim për normokromi dhe poshtë kësaj vlere për hipokromi.
  4. RDW (Red Cell Distribution Width) vlerëson anizocitozën eritrocitare, pra variacionin në përmasat e eritrociteve në popullatën në studim dhe shprehet në përqindje. Vlerat normale janë 13 ± 1.5%. RDW bëhet anormale (rritet) në aneminë ferriprive më shpejt se të gjithë parametrat e tjerë të qelizave të gjakut. Rritja e RDW sygjeron për deficit të hershëm nutricional, sidomos për hekurin. RDW e rritur është treguesi i parë i deficitit të hekurit.
  5. Indeksi i ngjyrimit (IN) – vlerëson shkallën e ngopjes të eritrociteve me hemoglobinë dhe llogaritet me anë të raportit midis vlerës së hemoglobinës / numrit të eritrociteve të shumëzuar me tre. Norma është 0.9-1.1 (normokromi) dhe më pak se 0.9 flasim për hipokromi.