Dërguar nga:

Miomektomia

Çfarë është miomektomia?

Miomektomia është termi i procedurës kirurgjikale që realizon heqjen e miomave uterine (të mitrës) duke ruajtur mitrës. Kjo procedurë mund të kryhet përmes kirurgjisë së hapur (laparotomia – hapja e barkut) ose përmes kirurgjisë së mbyllur (laparoskopia – që nuk kërkon hapjen e barkut apo histeroskopia). Histeroskopia përdoret në rastet kur miomat rriten apo proeminojnë në kavitetin uterin.

Zakonisht, miomektomia u rekomandohet femrave që kërkojnë të kenë fëmijë. Në rastet e miomave që plotësojnë kriteret për trajtim kirurgjikal, por që nuk dëshirojnë shtatzani apo janë në moshë shumë të avancuar, atëherë këshillohet histerektomia.



Karakteristikat e miomektomisë

Miomektomia është një operacion që zgjat më shumë se histerektomia, dhe zakonisht ka më shumë hemorragji se kjo e fundit. Pacientet do të kenë dhimbje të konsiderueshme për 3-10 ditë pas operacionit.

Kuptohet që në rastin e miomektomisë laparoskopike, dhimbja post-operatore është më e reduktuar.

Në rastin e miomektomisë histeroskopike, dhimbja postoperatore është e papërfillshme.

Sa i gjatë është hospitalizimi?

Hospitalizimi varet nga fakti se si është kryer miomektomia: me laparoskopi apo me laparotomi.

  • Zakonisht, kur miomektomia kryhet me laparoskopi (kirurgji e mbyllur, pa hapje të barkut), hospitalizimi është vetëm 48 orë.
  • Nqs miomektomia kryhet me hapje të barkut (laparotomi), atëherë hospitalizimi është më i gjatë, zakonisht 4-5 ditë.
  • Kur miomektomia kryhet me histeroskopi, hospitalizimi është vetëm 24 orë.
Sa i gjatë është rikuperimi pa operacionit?

Rikuperimi pas miomektomisë me laparotomi zakonisht kërkon 2 muaj. Vetëm pas një intervali të tillë këshillohet rikthimi në punë dhe në aktivitetin fizik që pacientja kishte përpara operacionit. Gjatë 6 muajve të para pas operacionit, nuk këshillohet ngritja e peshave për shkak se kirurgjia e hapur mund të komplikohet me hernie nqs aktiviteti fizik fillohet përpara kohe.

Rikuperimi është shumë më i shpejtë në rastin e miomektomisë me laparoskopi dhe nuk paraqet rreziqet e mësipërme.

Efektet anësore dhe siguria e procedurës.

Miomektomia duke qenë një procedurë kirurgjikale disi më invasive se procedurat e tjera kirurgjikale, mund të komplikohet disi më shpesh nga komplikacione të ndryshme. Ndër komplikacionet e mundshme përmendim:

  • Infeksionet e traktit urinar (vezikë urinare / veshkë).
  • Infekksionet në nivelin e plagës.
  • Trombozat e venave të thella – janë të shpeshta në kirurgjinë gjinekologjike. Bëhet fjalë për mpiksje të gjakut në brendësi të venave (zakonisht në këmbë) që rrezikojnë të përhapen drejt mushkërisë, zemrës etj.

Në rastin e laparoskopisë dhe histeroskopisë këto rreziqe janë minimale.

Zakonisht, komplikacionet nuk kalojnë shifrën 10% të rasteve.

Efektet afatgjata
  1. Miomektomia është shumë efikase në heqjen e miomave ekzistente, megjithatë ajo nuk mund të parandalojë shfaqjen e miomave të tjera në të ardhmen. Kjo do të thotë se nqs do të shfaqet ndonjë miomë tjetër, atëherë ju mund të keni nevojë për një tjetër operacion.
  2. Miomektomia mund të shkaktojë edhe aderenca (ngjitje) të organeve të brendshme të barkut (omentum, ovare apo zorë) mbi plagën e mitrës së krijuar nga heqja e miomës. Kjo mund të ndodhë në 25% të rasteve dhe pacientja mund të ankojë shumë kohë pas miomektomisë për dhimbje në fund të barkut, pavarësisht se ekografikisht nuk duket ndonjë problem.
  3. Nqs ndodh një shtatzani pas miomektomisë, atëherë lindja duhet të kryhet me operacion cezarian.
Efektet në fertilitet

Në rastet kur miomat shkaktojnë infertilitet, miomektomia rrit shanset për një shtatzani dhe minimizon shanset për abort.

Ky artikull është dërguar nga:
Ky artikull është lexuar 72 herë
Artikuj të tjerë ne specialitetin Obstetrike-Gjinekologji
Sondazh

A do te kryenit një konsultë online me pagesë me një mjek?

Dergo voten